Plas sherri për një laptop mes vëllezërve në Prishtinë, përleshen fizikisht mes vete
Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpeshherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit e madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në Prishtinë, ku dy vëllezër janë përfshirë në një përleshje fizike me njëri-tjetrin.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy vëllezërit kanë përfunduar në Polici, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë pas zënkës në të cilën u përfshinë.
Bazuar në dëshmitë e tyre, i gjithë sherri ka nisur për një laptop, për të cilin vëllai i madh e ka akuzuar vëllain e vogël se e ka vjedhur.
Dy vëllezërit kanë marrë lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Me urdhër të prokurorit, ata do të hetohen në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.