Lajme

Plas sherri pas aksidentit, shoferi sulmon personin që shkaktoi ndeshjen

Shoferët në qytetet e ndryshme të Kosovës shpesh hasin në probleme mes vete për shkak të incidenteve në trafik. Ato ka raste kur eskalojnë edhe në të shara e në sulme fizike, raporton Gazeta Sinjali.

Si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë në Vushtrri, njëri nga shoferët dyshohet se ka sulmuar fizikisht shoferin tjetër, që dyshohet se shkaktoi ndeshjen.

Sinjali mëson se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin ishte afruar te shoferi tjetër për t’i kërkuar falje, mirëpo atje nuk kishte hasur në mirëkuptim, por në dhunë.

Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, 35-vjeçari e ka sulmuar, duke e goditur me shuplakë.

Kjo ka bërë që një njësi policore që po patrullonte në atë zonë, ka intervenuar menjëherë pasi që ka parë konfliktin mes palëve.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Sulm’.