Lajme

Plas sherri në një familje në Fushë Kosovë: Babë e bir kapen për bërllok, përfundojnë në Polici

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku janë të përfshirë bashkëshortët, baballarët me fëmijë e anëtarët e tjerë të familjes. Shumë herë janë prindërit ata të cilët detyrohen t’i denoncojnë fëmijët në Polici si pasojë e mosmarrëveshjeve mes tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur sot paradite në fshatin Miradi e Ulët në Fushë Kosovës, ku babë e bir janë kapur për mbeturina, konflikt ky që eskaloi në kanosje dhe përfundoi si rast në Polici.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bërlloku u bë mollë sherri mes të dyshuarit A.K., dhe babait të tij, me të cilin kanë pasur fillimisht një zënkë verbale e më pas situata u tensionua në britma e kërcënime.

Sinjali mëson se rasti është raportuar menjëherë në Polici, me ç’rast palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me atë që ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe “Kanosje”.