Lajme

Plas sherr i madh në Pejë, tre persona sulmohen me grushte e mjete të forta në oborrin e tyre dhe në prezencë të Policisë

Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Një zënkë ka ndodhur edhe mes disa personave në rrugën ‘Agim Qela’ në Pejë, ku tre të dyshuarit kanë shkuar para shtëpisë së viktimave dhe të njëjtit kanë mbetur të bllokuar brenda nga frika që të dalin jashtë.

Sinjali mëson se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur të dyshuarit teksa shanin e ofendonin viktimat. Këta të fundit kanë dalë jashtë shtëpisë për t’u deklaruar para Policisë, mirëpo të njëjtit kanë hasur në dhunë brutale nga të dyshuarit të cilët nuk hezituan t’i godasin ata me mjete të forta në prezencë të zyrtarëve policorë.

Njëri nga viktimat ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai ka pësuar frakturë në hundë.

Policia ka intervenuar menjëherë dhe ka arritur që të dyshuarit t’i lokalizojë dhe më pas të njëjtit i ka arrestuar.

Tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.