Lajme

Planifikoi ta vrasë gruan me sëpatë, ky është mitrovicasi që përfundoi në paraburgim

Dje u raportua për një rast të rëndë të dhunës në familje që ka ndodhur në rrugën ‘Dibra’ në Mitrovicë, ku një burrë dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij duke tentuar që ta godas me sëpatë. I dyshuari u arrestua dhe përfundoi në ndalim policor.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Arben Dërvarin, 54-vjeçar, ndaj të cilit është parashtruar edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën kompetente.

Sinjali mëson nga burimet brenda Gjykatës Themelore në Mitrovicë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë dhe Dërvari tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit për 30 ditë.

54-vjeçari do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.

Por si kishte ndodhur ngjarja?

Gjithçka dyshohet se ndodhur në orët e pasdites, në shtëpinë e tyre, kur para syve të fëmijëve, i Arben Dërvari mori një sëpatë dhe tentoi ta godas bashkëshorten e tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja është viktimë e dhunës në familje që një kohë të gjatë, pasi burri i saj në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike, por deri në këtë pikë nuk kishte eskaluar asnjëherë.

Sinjali mëson se rasti që ndodhi dje tronditi gruan dhe fëmijët e saj, të cilët e shpëtuan nënën, kur babai i tyre iu vërsul për ta goditur me sëpatë dhe ata ndërhynë, para se të ndodhte diçka më e rëndë për gjithë familjen.

Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, motiv i dhunës që ajo po përjeton janë telashet me bashkëshortin, që kanë ardhur si rezultat i xhelozisë së tij, që kaloi në dhunë fizike.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.