Lajme

Plagosja me armë në Fushë Kosovë, identifikohet i dyshuari

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sot në Fushë Kosovë, në afërsi të një marketi në rrugën “Bedri Pejani”, ku dyshohet se është plagosur një person. Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, por që të dyshuarit janë arratisur.

Siç raportoi Sinjali, personi i plagosur është rreth 30-vjeçar dhe bëhet fjalë për A.Ott – i cili është shtetas i huaj.

Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Bedri Pejani” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarje. Në këtë rast, nga arma e zjarrit lëndime trupore ka pësuar një person dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në përgjigjen e Ahmetit.

Më tutje ajo ka bërë të ditur se personi i dyshuar është identifikuar.

“Ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha ajo.

Sinjali dha detaje shtesë rreth këtij incidenti, ku sipas informacioneve të para, viktima është qëlluar nga një veturë në lëvizje, ku ndodheshin personat e përfshirë në rast.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se vetura e të dyshuarve është gjetur e braktisur në lagjen Emshir në Prishtinë.