Plaçkitet një shtëpi në Viti, bie në prangat e Policisë hajni 24-vjeçar
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Në shumicën e rasteve, hajnat arrijnë të ikin me mijëra euro e gjësende me vlerë pa lënë ndonjë gjurmë. Por ndryshe ka ndodhur me një rast në Viti, ku brenda pak ditësh Policia zbuloi hajnin që kreu vjedhje në një shtëpi, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në fshatin Kabash, ku në një shtëpi një person ka arritur të vjedh gjësende të ndryshme që kapin vlerën e rreth 1 mijë eurove.
Rasti u denoncua nga personi që përkujdeset për shtëpinë, i cili raportoi në Polici se e gjeti shtëpinë të demoluar dhe nuk kishte dyshime se kush mund ta ketë kryer vjedhjen.
Si rezultat i nisjes së hetimeve, Policia e zbuloi të dyshuarin L.Sh., 24-vjeçar, i cili u arrestua sot gjatë ditës së sotme dhe më pas u shoqërua në stacion për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe rasti është cilësuar si ‘Vjedhje e rëndë’.