Pjesëtari i FSK-së përfshihet në përleshje bashkë me babanë e vëllain, dyshohet se u rrahën me një kushëri
Mosmarrëveshjet në familjet kosovare për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale, bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes familjarëve, të cilët për pasojë përfundojnë në Polici. Raste të tilla janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe në to përfshihen baballarët, djemtë e vajzat, por edhe anëtarë të rrethit më të gjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të enjten pas mesnate, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, ku katër persona janë përleshur mes vete si pasojë e një mosmarrëveshje momentale dhe për pasojë kanë përfunduar në ndalim policor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se katër të dyshuarit janë familjarë mes vete, babai me dy djemtë e tij në njërën anë dhe kushëriri i tyre në anën tjetër – të cilët dyshohet se u kapën “për një fjalë goje”.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se njëri nga të dyshuarit është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili po dyshohet se bashkë me babanë dhe vëllain e tij janë kapur me kushëririn e tyre, me të cilin jetojnë shumë afër.
Sipas informacioneve të para, gjithçka nisi pasi pjesëtari i FSK-së dyshohet se iu drejtua kushëririt me fjalët “çka po shikon” dhe aty filloi sherri në pikë të natës, ku u përfshinë edhe vëllai e babai i tij – të cilët ishin të dehur.
Posa rasti u denoncua në Polici, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë arrestuar të dyshuarit dhe të njëjtit fillimisht kanë marrë trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve që kanë pësuar dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, teksa për pjesëtarin e FSK-së është njoftuar ky institucion.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Katër të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar për shkak se ishin përleshur ndërmjet vete, me ç’rast dy prej tyre kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”