Lajme

Përleshje te Hib Petrol: 35-vjeçari godet me çekan një person, e bën për spital

Konfliktet mes të rinjve që eskalojnë në kanosje e përleshje brutale janë incidente goxha të shpeshta në vendin tonë. Përpos grushteve, jo rrallëherë përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, e madje edhe armë të zjarrit. Raste te tilla shpesh ndodhin edhe në hapësira publike, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë te pompa e derivateve Hib Petrol në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prishtinë, ku janë përfshirë dy persona, njëri prej të cilëve përfundoi në spital e tjetri në pranga të Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari R.Sh., e ka sulmuar me çekan në kokë viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në anën tjetër, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që kishte ndodhur dhe motivin që e shtyu ta sulmojë viktimën.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të merren veprimet e nevojshëm hetimore brenda afatit ligjor.