Përleshje mes nxënësve në Mitrovicë: Theret me thikë një 15-vjeçar, dërgohet me urgjencë në QKUK
Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Drejtoritë shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur sot në Mitrovicë, ku disa nxënës të një shkolle fillore janë përfshirë në përleshje, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të shkollës së mesme të ulët “Fazli Grajqevci”, ku pas një mosmarrëveshjeje dy nxënës kanë sulmuar një tjetër, të cilin e kanë goditur me thikë dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore.
Sinjali mëson se viktima është një 15-vjeçar, i cili fillimisht është trajtuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, por për shkak të gjendjes serioze është transferuar në QKUK.
Në anën tjetër posa rasti u denoncua në Polici, njësitë policore kanë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor dy personat e dyshuar, me ç’rast kanë sekuestruar edhe thikën e përdorur.
Të miturit që dyshohen për këtë rast kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve dhe pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Lëndim i rëndë trupor”.
Kujtojmë se përleshjet mes nxënësve janë bërë një dukuri mjaft shqetësuese edhe për prindërit, për shkak të sigurisë në këto institucione arsimore dhe përreth tyre.