Përleshje mes nxënësve në gjimnaz, të dyshuarit godasin aksidentalisht edhe profesoreshën
Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Drejtoritë shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave.
Në një përleshje janë përfshirë sot edhe tre nxënës të gjimnazit ’17 Shkurti’ në Obiliq dhe një nxënës i shkollës së mesme teknike ‘Ismail Dumoshi’.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda objektit të shkollës, ku në përleshje e sipër e ka pësuar edhe një mësimdhënëse, e cila duke u munduar që t’i ndajë palët, është goditur aksidentalisht nga njëri prej të dyshuarve.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar të dyshuarit dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Po ashtu, palët e përfshira kanë marrë edhe tretman mjekësor për shkak të lëndimeve që kanë pësuar gjatë përleshjes.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të hetohen në liri për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.