Lajme

Përleshje masive mes dy grupeve në Lipjan, gjashtë të mitur rrahen me bashkëmoshatarë

Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Një rast i tillë ka ndodhur sot në qytetin e Lipjanit ku janë përfshirë mbi 10 persona, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë përleshja ka qenë masive, ku janë kapur dy grupe, njëri prej të cilëve ka ikur, teksa grupi tjetër e ka denoncuar rastin në Polici. Sinjali mëson se të dyshuarit janë të moshës 16-vjeçare, nga fshati Topliqan.

Rasti dyshohet se ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, që i shtyri të miturit t’i qërojnë hesapet. Për pasojë disa prej tyre kanë pësuar lëndime, teksa Policia ka nisur kërkimet për kapjen e të dyshuarve të grupit tjetër.

Në lidhje me rastin, edhe Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për detajet e ngjarjes dhe ka marrë vendim për inicimin e rastit, teksa veprimet tjera do të merren posa të arrestohen të dyshuarit e tjerë.