Për 100 euro borxh, bëhen “llom e trosh” disa persona në Kaçanik
Mosmarrëveshjet për borxhe shpeshherë shkaktojnë incidente të ndryshme në vendin tonë, të cilat eskalojnë në përleshje e kanosje. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare dhe lindin konflikte serioze.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Kaçanik, ku një person dyshohet se ka kërcënuar një 24-vjeçar.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi prej rreth 100 eurosh, që viktima ka pasur ndaj të dyshuarit dhe nuk kishte arritur t’ua kthente. Për pasojë, ai u përballë me të riun, i cili ia zuri pritën dhe e sulmoi fizikisht.
Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhe kanë njoftuar se rasti ka ndodhur të shtunën mbrëma, kur i riu u rrah dhe pësoi lëndime trupore, për çka u dërgua me urgjencë në spital. Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari është kapur edhe me një familjar të viktimës, me të cilin u përleshën për shkak të konfliktit të mëparshëm.
Posa rasti është denoncuar në Polici, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve dhe inicimin e rastit ndaj tyre në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.