Lajme

Paratë i bëjnë ‘pikë e pesë’ dy vëllezër, njëri sulmon fizikisht tjetrin

Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpeshherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur në një familje në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, të dielën pasdite dhe kësaj here në rast janë të përfshirë dy vëllezër, njëri prej të cilëve e denoncoi tjetrin për dhunë në familje.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka raportuar në Polici se vëllai i tij 21-vjeçar e ka sulmuar fizikisht me grushte, duke i shkaktuar lëndime trupore, pas një konflikti të çastit që patën mes vete.

Gjithçka dyshohet se ndodhi për shkak të të hollave, pasi i dyshuari kishte kërkuar nga vëllai para dhe ky i fundit nuk i kishte dhënë. Situata aty u tensionua dhe kërciti grushti, për çka u njoftua edhe Policia e Kosovës.

Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është shpallur në kërkim, pasi ende nuk është hasur nga Policia në venet ku është kërkuar. Ndaj tij, me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të arrestohet i njëjtit.