Lajme

Paralajmërohen protesta nëse del në lexim projektligji që i heq veteranët nga paga minimale

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka paralajmëruar protesta në oborrin e Kuvendit të Kosovës, nëse do të dalë për lexim të dytë projektligji që i heq veteranët nga paga minimale.

Ai në një postim në Facebook ka reaguar kështu, siç ka thënë, ndaj deklarimeve të ministrit të Financave Hekuran Murati lidhur me çështjen e listave të veteranëve të luftës.

“Nëse e kanë qëllim që të përgatitet apo manipulohet publiku e pastaj të dalë në Kuvend për lexim të dytë projektligji që i heq veteranët nga paga minimale, e them përsëri se neve do të jemi në protesta në oborr të Kuvendit. Veteranë të nderuar, invalidë e familje të dëshmorëve, të jeni të përgatitur që nëse ju thërrasim në protestë, të dilni sa më masovikisht”, ka shkruar Klinaku.

Ai ka thënë se është mirë që diskutohet buxheti me qytetarë, por sipas tij, edhe më e mirë do të ishte që të mos bllokoheshin nga Qeveria projektet e komunave të Kosovës.

“Përsëri filluan sot që t’i bëjnë temë veteranët, e që për mendimin tim kjo bëhet vetëm për vota, prandaj nuk duhet që t’iu besohet. Sa i përket asaj se si qeveri paskan bërë disa hapa që të vijnë në një gjuhë të përbashkët me shoqatat e dala nga lufta dhe subjektet opozitare, absolutisht nuk është e vërtetë, sepse që nga shkresa e dërguar te kryeministri Kurti, nuk ka pasur më asnjë kontakt në mes nesh e rreth kësaj teme. Sa i përket çfarëdo ligji të ri për veteranët, apo amendamentim të ligjeve aktuale në fuqi, këtë gjë e kemi thënë se kur dhe si mund të bëhet kjo, në shkresën tonë drejtuar qeverisë, prandaj po e publikojë edhe një herë shkresën që të mos manipulohet publiku”, ka thënë ai.