Lajme

Paralajmërimi i frikshëm: Përshkallëzimi i situatës në Veri pritet të ndodhë shpejt!

Ekspertët e sigurisë në vend, kanë folur për “Gazeta Blic” në lidhje me zhvillimet e fundit në Veri të vendit pas largimit të serbëve nga institucionet.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, tha se Vuçiq nuk do të zgjedhë mjete për të përshkallëzuar situatën atje.

Ai paralajmëroi se kjo gjë mund të ndodhë shumë shpejt dhe se duhet një reagim i shpejt i SHBA-ve dhe BE-së në lidhje me zhvillimet e fundit.

“Vuçiq nuk do të zgjedhë mjete për ta përshkallëzuar situatën në Veri. Eshtë duke zgjedhur metoda më të ‘buta’ duke bojkotuar institucionet me qëllim që ta alarmojë Bashkësinë Ndërkombëtare ‘kinse’ me gjendjen në Veri. Nëse kjo nuk tërheq vëmendjen dhe diçka nuk ndërmerret atëherë ai do të përshkallëzon situatën me tensione nga më të ndryshmet. Mendoj se po bëhet mirë që të kemi një unifikim të qëndrimeve edhe në nivel të Presidentes dhe Kryeministrisë”

“Duhet të kemi një qëndrim të unifikuar rreth kësaj situate që e kemi.Nëse nuk ndodh një ndërhyrje e SHBA-ve për një zgjidhje të situatës të menjëhershme unë mendoj se përshkallëzimi do të ndodhë shpejt. Për kete arsye në kete situatë duhet reaguar nga SHBA-të dhe BE, duhet të veprohet shpejt” deklaroi Ibishi.

Nuredin Ibishi

Ndërsa ndryshe po mendon profesor i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami.

Islami në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se nuk pret të ketë tensione në rritje pasi KFOR me rezolutën 1244 ka obligim të sigurojë sovranitetin territorial të vendit.

“Pas iniciativa të Qeverisë së Beogradit në bashkëpunim me Listën Serbe dhe me faktorë të tjerë siç janë Rusia, Veriu i Kosovës është pak në gjendje të mjegulluar.Veprimet e serbëve janë ekstreme, duke lëshuar vendet e punës, Policia, Drejtësia, Gjykatat si dhe deputët. Çështja e targave është vetëm, Serbia është e interesuar Veriun e Kosovës ta shkëpusë nga Kosova, ata dëshirojnë që ajo pjesë t’i bashkangjitet Serbisë.Largimi i Policisë, Prokurorisë, Gjykatave dhe Policisë Kufitare ka për qëllim të krijojë një boshllëk institucional në mënyrë që gjendja të jetë kaotike”

“Për fat të mirë, Qeveria e Kosovës, nuk ka leju boshllëk institucional, pra atje janë duke funksionuar të gjitha hallkat institucionet e Republikës së Kosovës me asistencë dhe duke i vëzhguar EULEX dhe KFOR. Unë edhe pas kësaj situate në Veriun e Kosovës, nuk pres pershkallzim të situatës atje sepse për fat të mirë KFOR është i obliguar me Rezolutën 1244 ta sigurojë sovranitein territorial të Kosovës dhe në raste të caktuara të intervenojë dhe t’i asistojë policisë së Kosovës. Pra unë nuk pres që të ketë një pershkallzim të mëtutjeshëm të situatës në Veriun e Kosovës. Per shkak edhe të presionit të Bashkësisë ndërkombëtare por edhe edhe për shkak të mandatit të KFOR-it dhe EULEX-it” tha Islami për Gazetablic.

Avni Islami

Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Njoftimi i saj ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.