Lajme

Para se të përfundoj orarin e punës lëndohet rëndë punëtori nga Shtimja

Edhe pse punëtorët shpesh herë marrin lëndime trupore gjatë kohës që janë duke punuar, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës. Si pasojë e kësaj janë të shpeshta rastet kur punëtorët kërkojnë ndihmë mjekësore në spital për shkak të lëndimeve të marra, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur sot pasdite në Shtime, ku si pasojë është lënduar një person.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime kanë bërë me dije se viktima është dërguar atje në gjendje të rëndë dhe pas dhënies së ndihmës së parë, është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, saktësisht në firmën për konstruksione metali ku punonte viktima, për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Mosndërmarrja e masave mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.