Lajme

Pacienti që ka ikur rreth 20 herë nga Enti Special zhduket sërish dhe vjedh një veturë, Policia e gjen në Prishtinë

Nuk janë të rralla rastet kur pacientët në Qendrën Integruese Rehabilituese të të sëmurëve kronikë-psikiatrikë ikin nga ky institucion dhe nuk dihet gjë për fatin e tyre. Shpesh ata nuk kthehen për ditë e javë të tëra, derisa Policia t’i gjejë në qytete të ndryshme të vendit. Njëri ndër pacientët që ka ikur rreth 20 herë nga kjo qendër është zhdukur sërish, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për pacientin B.A., i cili pasi ka ikur nga ky institucion, po dyshohet se ka kryer vepër penale.

Sinjali mëson se i njëjti ka vjedhur një veturë në qytetin e Lipjanit, të cilën e gjeti të hapur dhe ia mbathi për Prishtinë, ku edhe u kap nga Policia.

Sipas të njëjtave burime, i dyshuari është recidivist i kësaj vepre penale, pasi edhe në të kaluarën, gjatë periudhës kur është raportuar i zhdukur, ka vjedhur vetura.

Posa i njëjti u gjet në kryeqytet është dërguar në Entin Special në Shtime, ndërsa janë kryer proceduat e tjera nga ana e Policisë.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprën penale “Vjedhje”.