Lajme

Organizoi në detaje vjedhjen e stolive prej 20 mijë euro, ky është i dyshuari që u arrestua sot

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Të njëjtin fat e pati edhe Ekrem Xhaferi, 42-vjeçar, i cili u arrestua orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Vushtrri.

Për arrestimin e Xhaferit njoftoi edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku thanë se ai dyshohet se ka kryer një vjedhje të rëndë në një shtëpi në Fushë Kosovë, ku kishte marrë stoli ari të cilat kapin vlerën e hiç më pak se 20 mijë eurove.

Ndërkohë Gazeta Sinjali përmes burimeve brenda Prokurorisë ka mësuar detaje të reja lidhur me rastin.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur paraditen e 20 prillit, ku sipas dëshmisë së pronares së shtëpisë, hajnat kishin hyrë përmes dritares së shtëpisë dhe kishin demoluar të gjithë hapësirën e brendshme.

Sinjali mëson se Xhaferi kishte shkuar i përgatitur për ta kryer vjedhjen e cila pas pak ditësh do ta dërgonte prapa grilave.

42-vjeçari kishte marrë një shkallë, të cilën e kishte përdorur për të kaluar rrethojat e për t’u futur në oborr dhe një sëpatë me të cilën dyshohet se theu dritarën prej të cilës depërtoi brenda shtëpisë

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, të gjithë veprën ai e kishte kryer i maskuar, për t’u siguruar që nuk do të arrijë të identifikohet dhe do ia hedh paç.

E për të lëvizur nga një lokacion në tjetrin, ai kishte përdorur një veturë, e cila rezultoi në pronësi të bashkëshortes së tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Xhaferi dyshohet se është përfshirë edhe në disa vjedhje të tjera kryesisht në zonën e Fushë Kosovës.

Po ashtu, si recidivist i veprave penale, ai po kërkohej me dy urdhëresa të Gjykatës, pasi ishte dënuar me burgim për dy vepra penale.

Sipas njoftimit të Policisë, pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore me vendim të prokurorit, është proceduar te zyrtarët e stacionit policor në Vushtrri.