Obiliq: Vetura godet gruan bashkë me vajzën 12-vjeçare në zebra, dërgohen në gjendje të rëndë në QKUK
Aksidentet në trafik janë një ndër dukuritë më shqetësuese në vendin tonë. Ato zakonisht ndodhin për shkak të pakujdesisë së shoferëve që rrezikojnë të gjithë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, mosrespektimit të rregullave të trafikut e për shkak të shpejtësisë. Si pasojë e shpërqendrimit dhe pakujdesisë të shoferëve, viktima në shumë raste janë edhe këmbësorët, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Hasan Prishtina’ në Obliq, ku një veturë ka goditur dy këmbësore.
Sinjali mëson se njëra nga viktimat në këtë aksident është një vajzë 12-vjeçare dhe ajo bashkë me 49-vjeçaren janë dërguar në gjendje të rëndë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak se shoferi nuk u kishte dhënë përparësi viktimave të cilat po kalonin rrugën në vendkalimin e shënjuar për këmbësorë.
Shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.