Lajme

Nxënësi i shkollës në Prizren dërgon mesazhe te drejtori: Kam bërë listën e nxënësve që do t’i vras

Një ngjarje jo fort e zakontë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Prizrenit, ku drejtori i shkollës së mesme të mjekësisë ‘Luciano Motroni’ ka kërkuar ndihmën e Policisë pas disa mesazheve kërcënuese që ka marrë nga një nxënës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i mituri ka nisur dhjetëra mesazhe në numrin e drejtorit të shkollës, duke e kërcënuar se ka bërë një listë me emrat e nxënësve të cilët do t’i vrasë, përfshirë këtu edhe vetë drejtorin.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe më pas kanë njoftuar edhe prokurorin lidhur me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Kanosje.

Ndërkohë në raportin 24-orësh të policisë thuhet se i dyshuari është me të meta psikike.

“Më 31.05.2023 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar nxënës përmes rrjeteve sociale ka bërë rreth tridhje mesazhe kërcënuese. I dyshuari është me të meta psikike. Rasti është duke u hetuar”.

Kujtojmë se muajin e kaluar në Beograd një nxënës ka vrarë 10 persona në shkollën e tij. I njëjti listën e vrasjes e kishte përgatitur më herët.