Nxehen gjakrat në trafik: Babë e bir kërcënohen nga vëllezërit Berisha
Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë te tuneli në Mitrovicë dhe këtë herë në rrahje janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për shkak të një mosmarrëveshje momentale derisa ishin në trafik. Përleshja eskaloi deri në kanosje, me ç’rast babë e bir kërkuan ndihmën e Policisë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht palët janë kapur mes vete verbalisht dhe më dy vëllezërit Berisha dyshohet se i kanë kërcënuar seriozisht viktimat, duke iu shkaktuar shqetësim e frikë.
Sinjali mëson se Policia ka intervenuar dhe të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti për veprën penale “Kanosje”.