Nura e Lushtaku shpërblejnë me kontratë gati 1 milion € ‘Rukollin’, kompaninë dostit të tyre
Komuna e Skenderajt, e cila udhëhiqet nga Fadil Nura dhe Sami Lushtaku, ka shpërblyer me kontratë në vlerë gati një milionë euro kompaninë – “R & Rukolli” – e cila është pronë e mikut të tyre, Rrustem Rukolli.
Ujdia mes palëve u finalizua para pak ditësh. Ajo parasheh vazhdimin e punimeve në kompleksin banesor ‘UÇK’ në Skenderaj, më konkretisht tek objekti “U”, raporton “Front Online”.
Projekti banesor do të nis të ndërtohet pas 10 vjetëve ngecje dhe përmban 128 apartamente, të cilat pritet t`u jepen si dhuratë familjarëve të dëshmorëve, por edhe veteranëve e invalidëve të luftës.
Rukolli fitoi, ani se nuk ofertoi më së liri
Kompania “R & Rukolli”, e afërt me pushtetarët komunalë atje kryetarin Nura e nënkryetarin Lushtaku, u shpall fituese ani pse kishte biznese të tjera që ofertuan më lirë.
Komuna e Skenderajt përdori procedurën e hapur në këtë aktivitet prokurimi. Krahas “R & Rukollit”, aplikuan edhe dy biznese, raporton “Front Online”.
Konsorciumi “N.T.SH Ramadani dhe Raf II. sh.p.k” konkurroi me një çmim prej 918 mijë euro.
Fituesja e tenderit “R & Rukolli” me 882 mijë euro, çmim me të cilin u bë pazari dhe grupi i operatorëve ekonomikë, “Tekno Konstrukt, AC dhe A Con” me 817 mijë sosh.
Operatorëve të përbashkët “Tekno Konstrukt, AC dhe A Con” nuk u kreu punë çmimi më i lirë, që ishte edhe kriter kryesor për dhënien e kontratës, raporton “Front Online”.
Ata u eliminuan nga autoriteti komunal, për siç u tha, mosplotësim të kritereve tjera të kërkuara në Dosjen e Tenderit.
Konsorciumi “N.T.SH Ramadani dhe Raf II. sh.p.k”, në anën tjetër, u eliminua për shkak të çmimit të lartë prej 918 mijë euro që kërkoi për t`ia kryer shërbimet komunës.
Jarania e Nurës me Rukollin
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura mohoi të ketë gisht në epilogun e tenderit shkaku i miqësisë që ka me biznesmenin, Rrustem Rukolli.
“Gjithçka ka shkuar sipas procedurave dhe konform ligjit. Nëse ishin shkel procedurat kisha marrë masa pavarësisht se kush është kompania. Kurrfarë ndikimi nuk kam pasë në tender”, u shpreh Nura për “Front Online”.
Përgjigje, në anën tjetër, nuk kthyen nga kompania “R & Rukolli”, të cilës pyetjet iu drejtuan në adresë elektronike të enjten.
Jarania që kanë mes vete Nura e Rrukolli është e faktuar.
“Front Online” ka gjetur shkrime publike mbështetëse që Rukolli bënte ndaj kryetarit aktual Nura në kohën kur ky po garonte për postin e kryetarit të Skenderajt më 2021.
Biznesmeni Rrustem Rukolli disa herë ka qenë në bankën e të akuzuarve.
Ai ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale, aktivitete të jashtëligjshme minerare.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, thuhet se më 10 tetor 2017, gjatë inspektimit të aktiviteteve të jashtëligjshme minerare nga inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), është konstatuar se N.N “R&Rukolli” Sh.p.k, me pronar, personin përgjegjës Rrustem Rukolli, me qëllim që vetit t’i sjell dobi pasurore ka ushtruar aktivitet të jashtëligjshëm minerar, ashtu që pa leje për aktivitete të veçanta nga organi kompetent i KPMM-së, ka bërë në lokacionin e objektit minerar, fabrikën për prodhimin e betonit në zonën industriale të Komunës së Prishtinës.
Rukolli akuzohej bashkë me gazetarin Milaim Zeka për veprën penale “shkelje e fshehtësisë”, gjegjësisht “tentim të pengimit të procedurës zyrtare”, aktakuzë nga e cila u lirua.
Pamja e objektit U, punimet finalizohen në vjeshtë
Komuna ka publikuar edhe në versionin 3D pamjet se si duhet të jetë objekti banesor “U”.
Sipas kryetarit drenicas, Fadil Nura, përfundimi i punimeve pritet të bëhet në muajin nëntor, raporton “Front Online”.
Projekti tek pastaj të procedohet në asamblenë komunale, ku krijohet komisioni përkatës që përzgjedh përfituesit e banesave.