KryesoreLajme

Njoftim më rëndësi për shkollat në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të mërkurën, më 19 nëntor, procesi mësimor do të rifillojë normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore në kryeqytet, pasi është konstatuar se situata me reshjet është e qëndrueshme.

Të martën, mësimi ishte pezulluar për shkak të paralajmërimeve për vërshime të mundshme.

Në njoftimin e ri, Komuna e Prishtinës bën të ditur se gjatë natës pritet rënie e intensitetit të reshjeve.

“Nesër, procesi mësimor rifillon normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të qytetit dhe të fshatrave të Prishtinës. Bazuar në vlerësimin e Shtabit Emergjent, informacionet e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe koordinimin me drejtoritë përkatëse të Kryeqytetit, është konstatuar se situata është e qëndrueshme për zhvillimin e rregullt të mësimit. Intensiteti i reshjeve gjatë natës pritet të bie dukshëm sipas vlerësimeve të fundit të IHMK-së, ndërsa ekipet emergjente janë në terren dhe po sigurohen që infrastruktura shkollore të jetë plotësisht e gatshme”, thuhet në njoftim.