Njësitë Speciale të Kosovës mblidhen në kampin ‘Belvedere’ në Mitrovicën e Jugut
Ekipi i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ka filluar të mblidhet në kampin ‘Blevedere’ në lagjen Bair të Mitrovicës së Jugut.
Autoblindat dhe automjetet e topave të ujin janë vendosur tashmë në këtë kamp.
Ekipi i KALLXO.com sjell pamje nga vendi i ngjarjes ku shihen automjetet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës duke u mbledhur në këtë kamp.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.
Po ashtu, zyrtarë të shumtë të komunitetit serbë, që janë pjesë e Policisë së Kosovës, kanë dorëzuar mjetet e tyre të punës, duke njoftuar largimin nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdimësi po përcjellë zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës.
Policia ka thënë se sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me situatën në veri të vendit, duke thënë se Beogradi ka nisur kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës.
“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri Kurti nuk ka folur saktësisht për vendimin e fundit të zyrtarëve policorë nga komuniteti serb në veri, për t’u dorëhequr nga detyra, por ka kërkuar nga të gjithë qytetarët serbe që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, duke thënë se ai nuk është kreministër kundër tyre.