Ngjarje e rëndë: 17-vjeçarja lind foshnjën pa shenja jete, kishte probleme me shtatzëni
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në Pejë, ku një vajzë shtatzënë u dërgua në gjendje kritike në Spitalin Rajonal, ku fatkeqësisht humbi foshnjën. Për këtë rast tashmë është iniciuar hetimi dhe janë zbuluar detajet.
Siç merr vesh Sinjali, nëna është një 17-vjeçare, e cila përfundoi në spital në javën e 36-të të shtatzënisë, ku kërkoi ndihmë për shkak të problemeve që iu shfaqën.
Burimet brenda spitalit kanë bërë me dije se posa pacientja është pranuar në Repartin e Gjinekologjisë, ekipi mjekësor ka kryer ekzaminimet e nevojshme – me ç’rast është konstatuar se fryti ishte pa shenja jete.
Viktima i është nënshtruar intervenimeve mjekësore dhe është njoftuar edhe Policia.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve hetimore.