Ngjarja tragjike që tronditi Klinën, krejt çka dihet deri më tani
Pasditen e së mërkurës, qyteti i Klinës është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Dy të rinj mbetën të vrarë pasi u gjuajtën me armë zjarri nga një person tjetër, për motive akoma të panjohura
Autori është arrestuar.
Rexhep dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë e Klinës kanë humbur jetën.
Media lokale Klina.info ka publikuar fotografitë e dy tashmë të ndjerëve.
I dyshuari për këtë vrasje, u raportua se është Jon Hoti, djali i ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të Klinës, Besim Hotit.
Ai është arrestuar nga Policia dhe është duke u intervistuar në lidhje me rastin.
Fillimisht u raportua se nga të shtënat më armë një person ka mbetur i vdekur dhe një i një tjetër i plagosur, i cili ishte dërguar në emergjencën e Spitalit të Pejës.
“Rreth ores 17:15 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në sheshin “Mujë Krasniqi” në një lokal sipas informatave të para një person është pa shenja jete vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa një person tjetër është dërguar në emergjencë”, kishte thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Por, personi që mbeti i plagosur, nuk kishte arritur t’iu mbijetonte plagëve të marra nga arma e zjarrit dhe për pasojë kishte ndërruar jetë në emergjencën e Spitalit të Pejës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e emergjencës dhe po ashtu personat kompentent nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Ndërkaq, pak minuta më vonë në vendin e ngjarjes ka arritur edhe ekipi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Në lidhje me rastin është deklaruar edhe prokurorja Sahide Gashi.
“Rast tragjik që ka marrë jetën e dy personave të ri, jemi në vazhdimësi të mbledhjes së provave, ekzaminimit të vendit të ngjarjes. Trupat e pajetë është urdhëru që të dërgohen për autopsi në IML në Prishtinë. I dyshuari edhe ai i moshës së re është arritur të arrestohet falë punës së shpejtë të policisë”, ka thënë ajo nga vendi i ngjarjes.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar për vrasjen që ndodhi në qendër të atij qyteti, duke thënë se ky lajm ka qenë i papritur dhe i kobshëm.
Elezaj ka shprehur ngushëllime për familjen e dy personave që mbeten të vrarë mbrëmë.
“Me dhimbje e pikëllim të madh kam marrë lajmin për rastin e sotëm, ku mbetën të vdekur Rexhep dhe Albison Shlivova nga fshati Jashanicë”.
“Ky lajm i papritur e i kobshëm tronditi thellë jo vetëm familjen e dy të ndjerëve, por na preku thellë të gjithëve. Në emrin tim dhe të komunës së Klinës i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Shlivova, miqve dhe të gjithë atyre që i kanë njohur Rexhepin dhe Albisonin”, thuhet tutje në shkrimin e Elezajt.