Lajme

Ngjarja tragjike në ‘Kiseri Dent’ në Prizren, personi që dyshohet se i dha fund jetës është 53-vjeçar

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në qytetin e Prizrenit, ku në ordinancën stomatologjike ‘Kiseri Dent’ është gjetur pa shenja jete një person. Vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me rastin, raporton Gazeta Sinjali.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, i cili tha se viktima është mashkull 53-vjeçar.

“Sot me datë 17.01.2025, rreth orës 10.37 është pranuar informata se në ordinancën dentare ,, Kiseri dent” e cila gjendet në sheshin Shatërvan, në Prizren, është gjet një person për të cilin dyshohet se ka kryer vetvrasje me varje.

Nga mjekët e emergjencës është konstatuar vdekja e viktimës.

Patrulla policore ka bërë sigurimin e vendit ngjarjes, në vendngjarje kanë dalë hetuesit dhe hetuesit e vendit të ngjarjes (forenzika) nga Sektori Rajonal i Hetimeve”, tha ai për Sinjalin.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.