Lajme

Ngjarja e dhimbshme për familjen Xheladini, nisin hetimet për vdekjen e 20-vjeçares në QKUK

Lajmi për vdekjen e 20-vjeçares që po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka tronditur familjen Xheladini. Vajza ishte dërguar në këtë qendër pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, por fatkeqësisht ndërroi jetë teksa po trajtohej. Gazeta Sinjali raportoi sot se për këtë rast kanë nisur hetimet, pasi babai i vajzës po dyshon për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se Mihane Xheladini vdiq në orët e mbrëmjes të së hënës teksa po merrte trajtim mjekësor në QKUK, ku ishte dërguar nga familja e saj.

Pasi vajza ka humbur jetën, rasti është denoncuar menjëherë në Polici nga babai i saj, i cili ka kërkuar që vdekja e të bijës të hetohet, pasi ka dyshime se mjekët nuk e kanë trajtuar siç duhet dhe për pasojë ajo ka ndërruar jetë.

Bazuar në dëshminë e tij, Sinjali mëson se vajza nuk ka vuajtur ndonjë sëmundje, por ishte dërguar në QKUK për shkak të disa ankesave shëndetësore.

Si rezultat i denoncimit të rastit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve, me ç’rast trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion dhe marrjen e të gjitha veprimeve që çojnë në zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.