Nga toka dhe ajri, Policia e Kosovës siguron kufirin në veri – VIDEO
Ndonëse e pranon që e ka të vështirë ta kontrollojë kufirin verior me Serbinë, Policia e Kosovës ka intensifikuar patrullimet për të ndaluar hyrjet e njerëzve dhe mallrave përmes rrugëve ilegale.
Përmes këtyre rrugëve, kishte hyrë edhe armatimi që u përdor në sulmin kundër policisë në shtator.
Ndryshe, edhe pak ditë bëhen një muaj nga sulmi terrorist në Banjskë, ndërsa Policia në vazhdimësi ka prezantuar sasi të mëdha armatimi si prova dhe janë bërë vlerësime të ndryshme për shkatërrimet që do të mund t’i shkaktonin ato.
Raketahedhës, granatahedhës, pushkë automatike, automjete ushtarake dhe eksplozivë janë vetëm disa nga armët që policia e Kosovës ka thënë se i ka kapur pas sulmit të 24 shtatorit.
I pyetur se si ka hyrë armatimi në Kosovë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se “është e pamundur” që ajo hapësirë përreth kufirit, të monitorohet nga policia “çdo minutë e çdo sekondë”.
“Terreni është i vështirë, ka rrugë shumë ilegale që janë hapur dhe hapen vazhdimisht nga territori i Serbisë në kufi me Kosovën. [Armatimi] është futur përmes një rruge ilegale. Janë futur grupe – grupe të caktuara – e pastaj janë afruar te fshati Banjskë. Kjo është ajo çka ndodhur në këtë rast”.