Nga 1 janari paga minimale do të jetë 500 euro
Ka përfunduar takimi i Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati me përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale.
Takimi ka nisur rreth orës 10:00.
Aurora Group
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, ka folur pas takimit. Azemi ka thënë se kërkesa e tyre ishte që paga minimale në sektorin privat të jetë 600 euro, megjithatë tregoi se janë pajtuar që nga muaji janar i vitit të ardhshëm, kjo pagë të jetë 500 euro.
“Është diskutuar për pagën minimale. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 600 euro në sektorin privat. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë ose qeverisë në detyrë, që vlerësimi i tyre është që kjo pagë të jetë 500 euro dhe e kam pyetur nëse gjithçka shkon në rregull, kur mendoni të fillojë së implementuari. Sipas deklarimit të ministrit është thënë që paga minimale prej 500 euro të fillojë së implementuari në janar, por megjithatë nuk e ka hedhur poshtë edhe propozimin tonë për shumë 600 euro. Nga të gjithë akterët që ishim jemi pajtuar që paga minimale të jetë 500 euro dhe të fillojë së implementuari në janar”, tha Azemi pas takimit.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Kosovës, tha se kanë kërkuar që rritja e pagës minimale të fillojë nga janari, kur të ketë një qeveri të re funksionale.
“Ne dimë paga e propozuar nga kryeministri ishte ditën e dielë. Ishte fushatë politike. Ne i kërkuam ministrit që kjo çështje të shtyhet derisa të ketë një qeveri funksionale, Kemi kërkuar të mos nxirren vendime pa konsultime, siç është bërë me rritjen e çmimit të rrymës. Pasojat po i shohim tani. Këto vendime e kanë bë të pasigurtë punën në Kosovë.
Takimi ishte më shumë konsultativ, nuk ishte për të marrë një vendim. Edhe ne kemi ardhë me këtë qëllim si Dhomë e Tregtisë”, tha ai.

