KryesoreLajme

Nesër iu jepet lamtumira e fundit tre anëtarëve të familjes Pacolli që vdiqën tragjikisht

Tragjedia e familjes Pacolli, tre anëtarë të së cilës humbën jetën tragjikisht ka tronditur gjithë vendin. Naim, Merita, e djali i tyre i mitur u nxorën të vdekur dje nga vetura e tyre, e cila ra në lumin Lepenc, teksa po ktheheshin të shtunën nga Aeroporti i Shkupit, raporton Gazeta Sinjali.

Varrimi i tyre pritet të bëhet nesër në Prishtinë, teksa trupat e pajetë do të lëshohen sot nga autoritetet maqedonase pas përfundimit të procedurave.

Ndryshe, njësitë speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim kanë nxjerrë nga lumi Lepenc makinën me tre trupat e pajetë të shtetasve të Kosovës, e cila kishte rënë në lumë pas një aksidenti me një automjet tjetër.

Aksidenti ndodhi afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve, në Bllacë.

“Zyrtarët policorë të Njësisë Speciale Antiterroriste kanë gjetur të vdekur tre personat të cilët po kërkoheshin në lumë pas aksidentit të shtunën në rrugën Shkup- Bllacë. Është gjetur edhe automjeti BMW në të cilin ndodheshin personat, tashmë të vdekur”, thuhet në njoftimin e MPB-së.