Lajme

“Nëse e thirrë Policinë, ki me shku n’vorr”, mitrovicasi e rrah dhe e kërcënon gruan – arrestohet

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua nga Mitrovica, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj për dhunën fizike dhe psikike që ia ka shkaktuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se burri i saj e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore, e për të mos mbaruar me kaq, edhe e ka kërcënuar seriozisht.

Sinjali mëson se i dyshuari e ka paralajmëruar gruan se nëse e denoncon në Polici, “do të shkosh në vorr”, thonë të njëjtat burime.

Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe frikësuar se mund t’i ndodhë diçka më e keqe, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit ndaj të dyshuarit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.