Lajme

“Nëse don me dalë me femna tjera, puno”/ 37-vjeçari në Fushë Kosovë e bën llom gruan e tij pasi s’ia dha 300 euro

Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.

Në Polici kanë përfunduar së fundi edhe një çift nga Fushë Kosova, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur në shtëpinë e tyre në rrugën ‘Dardania’ dhe sebep u bënë 300 euro të cilat burri i kërkoi bashkëshortes së tij që t’ia japë.

Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, ajo i është përgjigjur burrit të saj se nuk ka para për t’i dhënë dhe nëse do që të dalë me gra tjera duhet të punojë. Kjo përgjigje kishte pasuar me sulm fizik nga i dyshuari, i cili ka rrahur brutalisht bashkëshorten e tij duke e goditur me grushte nëpër pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e dhunës që ka përjetuar ajo ka marrë lëndime trupore, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë. Mirëpo për shkak të natyrës së lëndimeve, ajo është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Si rezultat i denoncimit të rastit në Polici, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Para hetuesve ai ka mohuar të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së saj, duke thënë se ajo lëndimet i mori pasi u rrëzua.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.