Nënë, bijë e bir përfshihen në dhunë në mes të natës – vajza godet vëllain me thikë në Prishtinë
Një incident i rëndë familjar është raportuar mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku një mosmarrëveshje në mes të natës ka eskaluar në dhunë fizike dhe plagosje me thikë brenda një familjeje.
Gazeta Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 1 qershor 2025, rreth orës 22:30, në rrugën “B” në kryeqytet, ku është raportuar dhunë në familje.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, M. E. ka deklaruar para Policisë se pas një konflikti verbal, djali i saj, S. E., e ka kërcënuar dhe goditur me grushte në kokë dhe në trup.
Në përpjekje për të ndalur dhunën, vajza e saj, Z. E., ka ndërhyrë, por situata ka dalë jashtë kontrollit – ajo e ka goditur të vëllanë me një thikë të kuzhinës.
Të gjithë personat e përfshirë kanë marrë tretman mjekësor, përfshirë edhe të dyshuarën Z. E. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar thika që dyshohet se është përdorur për goditje.
Pas ndërhyrjes së Policisë, personat e përfshirë janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës, ndërsa dëshmitari A. E. është marrë në pyetje si dëshmitar kyç.
Me urdhër të Prokurores kujdestare, rasti është iniciuar për “Dhuna në familje”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje pa leje e armës së ftohtë”, ndërsa Z.E. dhe S.E. dhe Sami Emini janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar nga Njësia për Hetime të Dhunës në Familje në koordinim me Prokurorinë.