Lajme

Nëna tenton vetëvrasjen pasi djalin ia dërguan në paraburgim, dërgohet në spital

Traumat që vijnë nga mjediset familjare dhe shoqërore, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, depresioni e probleme të tjera shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasje e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në Prizren, ku një grua 53 -vjeçare ka tentuar t’i jap fund jetës së saj, duke konsumuar medikamente për qetësim, që ia përkeqësuan gjendjen dhe për pasojë përfundoi në spital.

Këtë e kanë bërë të ditur burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës dhe kanë njoftuar se pasi viktima u dërgua në këtë qendër, Policia është vënë në dijeni, me ç’rast një njësi policore ka intervenuar për t’i marrë informacionet e para.

Sipas disa dëshmitarëve, motivi që e shtyu gruan për të tentuar vetëvrasjen ishte gjendja e rënduar emocionale pasi e kuptoi se djalin e saj e kanë dërguar në paraburgim lidhur me një rast për të cilin dyshohet.

Sinjali mëson se Policia ka kryer disa ekzaminime në vendin e ngjarjes, ndërkohë që pas mbledhjes së informacioneve të para, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.