Lajme

Ndryshim drastik i temperaturave në Kosovë, nga kjo ditë nisin edhe reshjet e borës

Mbi vendin tonë kanë filluar të shtrihen masa të ngrohta ajrore, të cilat kanë sjellë edhe temperatura deri në 11°C në shkallë vendi.

Të enjten pritet fuqizim i masave të ngrohta ajrore por të shoqëruara edhe me ato të lagështa. Moti do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, ku priten edhe reshje shiu, sidomos orëve të pasditës dhe mbrëmjes, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me ndonjë shkarkesë elektrike.

Përpos masave të ngrohta, do të jenë erërat e forta nga jugperëndimi me shpejtësi deri në 60 km/h, të cilat do të ndikojnë në ngritjen enorme të temperaturave, duke bërë që ato të arrijnë deri në 17 apo 18°C në shkallë vendi.

Edhe të premten do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e këtyre masave të ngrohta, ku priten vranësira dhe intervale me diell, ku në mbrëmje pritet të depërtojnë masat e ftohta ajrore, duke sjellur gradualisht reshje bore në shkallë vendi.

Masat e ftohta pritet të fuqizohen të shtunën, duke sjellur edhe reshje të dendura bore në të gjithë vendin. Temperaturat do të jenë në vlera negative, me ç’rast edhe reshjet e borës pritet të krijojnë shtresa menjëherë. Sa i përket sasisë do të informoheni në ditët vijuese./MeteoKosova