Lajme

Ndalohen dy persona për vrasjen e rëndë në Prishtinë

Një person ka humbur jetën si pasojë e një gjuajtje me armë zjarrin sot rreth orës 13:30 në lagjen Arbëria në Prishtinë, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e therjes me thikë, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhur me këtë, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të ndalohen dy të dyshuar, të cilët aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave A.M dhe M.M , nën masat e sigurisë nga Polica, pasi që gjinden në trajtim mjekësorë. Të njëjtit dyshohen për veprën penale “ Vrasje e rëndë”, sipas KPRK-së”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e njërit prej të lënduarve është më serioze dhe i njëjti po trajtohet nën përkujdesjen e mjekëve, ndërsa i lënduari tjetër, pas marrjes së tretmanit mjekësor është liruar për në shtëpi.

“Zyra për Medie ju konfirmon se dy persona të lënduar kanë marrë trajtim mjekësor nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente. Njëri nga ta pas trajrimit nga ortopedi është liruar nga emergjenca, kurse tjetri me lëndime më serioze po vazhdon trajtimin nga ekipi mjekësor në kuadër të Klinikës së Kirirgjisë Torakale”, thanë nga SHSKUK për Sinjalin.

Ngjarja tragjike në Prishtinë, kjo është gjendja e dy të plagosurve që u dërguan në QKUK
Ndryshe, lidhur me ngjarjen tragjike kanë folur për Sinjalin edhe nga hotel ‘Adria’, ku fillimisht u raportua se ka ndodhur vrasja.

Por kjo është mohuar nga stafi i hotelit, të cilët thanë për Gazetën Sinjali se e gjithë ngjarja ka ndodhur jashtë hapësirave të cilat janë në pronësi të ‘Adria-s’.

“Vrasja ka ndodhë jashtë, në afërsi të hotelit. Anash. Nuk është as pronë a pjesë përbërëse e hotelit. Policia i ka marrë pamjet e kamerave”, thanë nga ‘Adria’.

Ata po ashtu kanë bërë me dije se personat e përfshirë në ngjarjen tragjike, nuk kanë qenë as klientë të hotelit.

“Personat e përfshirë s’janë kanë klientë të hotelit. Kanë qenë kalimtarë të rastit ose ku e di”, thanë tutje nga ‘Adria’ për Sinjalin.

Hotel ‘Adria’ për Sinjalin: Vrasja ndodhi jashtë pronës tonë, Policia ka marrë pamjet e kamerave
E sipas Policisë së Kosovës, informacionet e para kanë qenë që të shtënat janë dëgjuar në një hotel. Pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë hasur në trupin e viktimës, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku i ekipit të Emergjencës.

“Sot rreth orës 13:20 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Ndërsa dy persona të tjerë të lënduar(dyshohet me mjet të mprehtë) janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.