Kryesore

Nata tragjike në Prishtinë, krejt çka dihet për dy vrasjet që tronditën vendin

Një rast tragjik ndodhi sonte, në, ku u vra gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit..

Mbrëmjen e shkuar Prishtina dhe i gjithë vendi u trondit nga dy vrasje që ndodhën brenda pak orësh. Liridona Murseli, bashkëshortja e ish-këshilltarit të presidentit Behgjet Pacolli, Naim Murseli, mbeti e vrarë pas të shtënave që u dëgjuan në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur 33-vjeçaren. Kjo ngjarje tronditi gjithë familjen Murseli dhe hetimet tashëm kanë nisur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e rastit.

E, në rrugën ‘Ali Vitia’, 52-vjeçari, Ali Kosova, dyshohet se u ther për vdekje nga dhëndri i tij 29-vjeçar, Edon Bujupi, i cili ndodhet në arrati.

Detaje nga deklarata e Naim Murselit

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht detaje nga rrëfimi i Naim Murselit, para zyrtarëve policorë për incidentin që iu ndodhi, ku mbeti e vdekur bashkëshortja e tij.

Sipas informacioneve të para, Murseli ka deklaruar se i ka dëgjuar vetëm krismat dhe asgjë nuk ka parë në momentin kritik, kur dyshohet se ia qëlluan gruan me armë zjarri.

Siç ka deklaruar Murseli para hetuesve policorë, hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.

Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.

Këto janë vetëm disa nga detajet që Murseli i ka rrëfyer para Policisë dhe sipas informacioneve që janë mbledhur deri më tani pistat pritet të zgjerohen dhe nuk do të hetohet vetëm versioni i Murselit.

Çka dihet deri më tash për të dyshuarit

Në bazë të detaje të reja që janë zbuluar, Sinjali merr vesh se kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur, që ua kanë zënë pritën me veturë familjes Murseli.

Dy grabitësit, sipas informacioneve të para kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit Golf 5, por që Policia është në kërkim edhe të një veture BMW me targa të huaja.

Vrasja e Ali Kosovës

Nga Policia janë deklaruar lidhur me rastin dhe kanë bërë me dije se viktima është dërguar në QKUK, por nuk ka arritur t’iu bëjë ballë plagëve nga goditjet me thikë dhe vdiq.

Ashtu siç raportoi Sinjali, i dyshuari për rastin, Edon Bujupi, ndodhet në arrati dhe tashmë është shpallur në kërkim.

Nuk dihen ende motivet që shtynë drejt kësaj ngjarjeje tragjike, pasi i dyshuari dhe viktima kishin lidhje familjare, dhëndër dhe vjehërr.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.