“Muli” i Dardanisë i pakapshëm për Policinë – Vjen reagimi i parë i të plagosurit: Nuk dorëzohem kurrë
Gati 3 javë nga tentim vrasja në lagjen Dardania në Prishtinë, i dyshuari Flamur Berisha – emër i njohur për organet e rendit akoma nuk ka rënë në prangat e Policisë. I pakapshmi “Muli”, me të kaluar kriminale po vazhdon të sillet lirshëm dhe të mos përballet me drejtësinë. Ai po dyshohet se e la të plagosur Dëfrim Kuqin, të cilin e qëlloi me armë zjarri në kafeterinë “Pasarela”, raporton Gazeta Sinjali.
Të shtënat që u dëgjuan mëngjesin e 29 shtatorit trazuan banorët e lagjes Dardania. Për një konflikt që dyshohet se mund të ketë lidhje me një mosmarrëveshje të mëhershme, Berisha gjuajti në drejtim të Kuqit, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Për pasojë, ky i fundit u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku për ditë me radhë ishte në gjendje të rëndë, ndërsa tash siç mëson Sinjali, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.
Ndonëse hetimet kanë filluar qysh atë ditë për kapjen e të dyshuarit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit, deri më sot, as Policia e as Prokuroria nuk kanë dalë me një njoftim për arrestimin e tij apo veprimet që janë ndërmarrë në këtë drejtim.
I njohur me nofkën “Muli”, Flamuri me të kaluar kriminale, të pasur me plot vepra penale, në të cilat është përfshirë ndër vite – po del të jetë i pakapshëm për organet e rendit.
Flamur Berisha
Pas gjithë këtyre ditëve, i plagosuri Defrim Kuqi është lajmëruar te miqtë dhe familjarët e tij përmes një reagimi, të cilin e ka siguruar Sinjali.
Kuqi ka thënë se ky rast e ka tronditur atë dhe familjen e tij, teksa ka shkruar se “do të ngrihem, duke mos u dorëzuar kurrë”.