Motra zbulon detaje të tjera tronditëse për torturën që e ka pasur Hamide Magashi
Selvete Arifi, motra e 35-vjeçarës shtatzënë së cilës iu mor jeta mbrëmjen e së mërkurës nga ish-bashkëshorti i saj, ka rrëfyer për momentin e fundit me motrën e saj.
Arifi tregon se si ka ardhur familja e ish bashkëshortit të viktimës me familjen e tij për ta vizituar motrën e saj. Derisa ka insistuar te motra të mos dalë poshtë për t’i takuar.
“Momenti i fundit që kam biseduar me motrën ka qenë dje në orën 09:00. Më tha ‘motër mirë dhe shëndoshë jam’, e kam pyet për të shkuar, më ka thënë ‘jo motër nuk ka nevojë për të vini, nesër hyj në operacion në ora 09:00 dhe hajdeni’ dhe s’kam folur me të më deri në mbrëmje kur i kemi dëgjuar lajmet… Ata janë ardhur (në spital), burri i vetë me nënën e vetë dhe ai është larguar, ka mbet motra me nënën e tij, janë ngjitur lartë dhe i kanë çu tesha motrës dhe si na kanë shikuar ne janë larguar, ne kemi qëndruar me motrën prej orës 09:00 deri më 16:00 dhe i kemi thënë motër mos dil poshtë e na tha ‘jo nuk dal’. Na ka përcjell e jemi ndarë tu qarë, ky kishte qenë momenti i fundit… Ka qarë se është mërzit dhe është frikësuar prej tyre se po i bëjnë diçka”, rrëfen Arifi.
Mes të tjerash Arifi tregon çfarë ka përjetuar viktima. Ndërsa ka pohuar se nëse kish lind fëmija ka qenë e detyruar të ja jap ish-bashkëshortit.
“Na jemi shtatë motra e tash kemi mbet gjashtë… Ndërsa motra fëmijën ka pas me lind dhe me ja jep atyre sepse i ka thënë motrës ti nuk ki nevojë me mbajt fëmijën tim… Ajo ka përjetuar tmerrin, gjithë trupin shenja, me armë në kokë i ka qëndruar duke e godit, duke e kap për karrige dhe duke ja lidh këmbët e duart. Në banjo kur ka shkuar, ka shkuar me vjehrrën e vet, e kanë ruajtur edhe në banjo, ja ka mbyll derën e brenda ka qëndruar vetë”, tha ajo.
Flet babai i Sokol Halilit: I ka bërtit e janë përla, por kurrë nuk e ka rreh
Arifi derisa kujton të ndjerën thotë se e kanë pasur krahë të djathtë.
“Ajo ka punuar në komunë në Ferizaj 18 vite, vet ka kontribuar për ta ndërtuar shtëpinë, na ka mbajt neve dhe kur jemi ardhur s’kemi pas nevojë asgjë me ble sepse e kemi pas krahë të djathtë. Na ka këqyr të gjithëve”, rrëfen motra e viktimës për KosovaPress.
Duke folur për të ndjerën, ajo rrëfen edhe martesën e viktimës, derisa përmend edhe mesazhet që kanë marrë nga ish bashkëshorti i saj.
Në lidhje me këtë, motra e të ndjerës tha se ish-bashkëshorti i të ndjerës ka pasur liri të bëjë çfarë të dojë, pasi kanë mbetur jetime.
“Një shoqe ma ka gjet, kanë komunikuar dhe janë dalë. Fejesë e martesë i ka bërë me 17 shkurt. Mirëpo ata si kardhur për me marrë, s’kanë dashtë as brenda me hy, veç ma shpejtë me kap dhe me ec… Prej fillimit ka pas probleme. Ne e thirrshim me ardhë dhe na thoshte ‘hajt oj motër se vij’. Ata nuk ja lejonin as telefonin, ai na shkruante mesazhe neve dhe na thoshte çdo gjë… ‘Ju s’keni babë e as nënë’ na thoshte ai… Na per këtë që s’kemi pas as nënë e as babë e as vëlla, veç një djalë të xhaxhit e kem dhe ai i ka bërë këto”, tha ajo.
Arifi për vrasësin tha se duhet të lidhet në mes të sheshit dhe të përjetojë plagë të shumëfishta. Ndërsa është shprehur se ndihen të pasigurtë, pasi vrasësi ende është në arrati.
“Atë duhet me marrë dhe ta varin midis sheshit dhe me pre me zhilet sepse ai e meriton. Ne nuk kemi siguri sepse atë ende nuk e kanë kapur, na kemi frikë, një patrullë e policisë po rrinë me njërën anë mirëpo duhet një të rrijë përpara se mundet të vijë dhe me na bo diçka”, tha mes tjerash Arifi.
Sokol Halili është i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-gruas së tij që po priste të sillte në jetë edhe fëmijën e tij. Ai është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës dhe kushdo që posedon informacion për vendndodhjen e tij janë të lutur të telefonojnë në 192.
Ndërsa për të raportuar dhunën në familje ju mund të thërrisni në Policinë e Kosovës në numrin 192 ose 0800 19 999 si dhe të Mbrojtësit e viktimave: 0800111112.