Lajme

“Mos mendo se…”, paralajmërimi dhe detaje tjera se si kosovari dyshohet që e vrau 26-vjeçaren shtatzënë

Bujar Fandaj u arrestua pranë shtëpisë së tij në Altivole (Treviso, Itali). 41-vjeçari nga Kosova tashmë gjendet në burg dhe akuzohet për vrasje në rrethana rënduese. Ai akuzohet për vrasjen e 26-vjeçares Vanessa Ballan, me të paktën 7 goditje thike. E reja, nënë e një djali 4 vjeç, ishte 3 muajshe shtatzënë dhe ndodhej në shtëpi me leje të parakohshme lindjeje, prej të paktën 3 javësh.

Fandaj dhe Vanessa njiheshin. Në të shkuarën kishin pasur një lidhje disa mujore. Marrëdhënia ishte mbyllur keq, aq sa ajo kishte pranuar se ndihej e frikësuar prej tij dhe e kishte denoncuar për përndjekje. Sipas të dhënave të deritanishme, Fandaj, i cili punonte si korrier, shkoi me furgonin e punës në shtëpinë e viktimës në Spineda, në Riese Pio X. Një moment që mbërriti përballë shtëpisë, u fut me forcë duke thyer me çekiç një derë prej xhami.

26-vjeçaren e gjeti ende me pizhame, e dhunoi fizikisht më pas e goditi me thikë dhe e la përtokë, të mbuluar nga gjaku.

Më pas hipi në furgon duke u arratisur për disa orë, derisa u arrestua gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme. Karabinierët sekuestruan menjëherë kamerat e sigurisë dhe analizuan sistemin e targave për të zbuluar rrugën e ndjekur nga furgoni. Në të njëjtën kohë, karabinierët kontrolluan shtëpinë e 41-vjeçarit për prova të mundshme dhe për të kuptuar nëse vrasja ishte e paramenduar.

Këtë hipotezë e mbështet edhe fakti se rreth orës 08:00 të mëngjesit të 19 Dhjetorit, Fandaj kishte ndarë në profilin e tij social një foto nga makina, në kufirin mes Italisë dhe Sllovenisë. Në këtë imazh shfaqej një tabelë autostrade që tregonte drejtimin për nga Lubjana dhe Nova Gorica. Dyshimet janë se bëhet fjalë për të një fotografi të vjetër të cilën i dyshuari e publikoi në mënyrë që të krijonte një alibi për karabinierët.

Sipas asaj që shkruan Corriere della Sera, kjo nuk është e vetmja foto që ka ngjallur interesin e hetuesve në profilet e tij në rrjetet sociale. Të hënë në mbrëmje, rreth orës 22:00, në TikTok dhe Instagram, 41-vjeçari kishte publikuar një Story, me audio në sfond, ku thuhej: “Kështu jam gatuar, të jap menjëherë zemrën, transparencë e sinqeritet. Por mos mendo se mund të ma fusësh, sepse nëse më del nga zemra nuk hyn më”.

Vanessa u gjet në shtëpi e pajetë nga bashkëshorti i saj Nicola Scapinello, i cili ishte kthyer nga puna në shtëpi për drekë.