Lajme

Mitrovicasi ushtron dhunë ndaj babait të moshuar, 65-vjeçari kërkon ndihmën e Policisë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një konflikt familjar ka ndodhur në rrugën ‘Blerim Durmishi’ në Mitrovicë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij të moshuar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 65-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku mes të tjerash ka bërë me dije se përpos dhunës fizike, i biri ka demoluar edhe orenditë shtëpiake.

33-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.