Mitrovicasi hyn në sherr me të dashurin e vajzës: Nëse i afrohesh asaj, të vras
Lidhjet e dashurisë mes të rinjve në shumë raste nuk gjejnë mbështetjen e familjarëve. Këta të fundit shpesh herë ndërhyjnë mes çiftit, ku përmes mënyrave të ndryshme, madje duke mos kursyer as kërcënimet, tentojnë që t’i ndajnë ata, raporton Gazeta Sinjali.
I pakënaqur me lidhjen e vajzës së tij 19-vjeçare, doli të jetë edhe një burrë në Mitrovicë i cili përfundoi në Polici si shkak i disa kërcënimeve që ia kishte drejtuar të dashurit të së bijës.
Sinjali mëson se 25-vjeçari e ka denoncuar 56-vjeçarin në Polici, për të cilin ka deklaruar se e ka kërcënuar me jetë si shkak i mospajtimeve për marrëdhëniet që ka krijuar me vajzën e tij. Bazuar në dëshminë e të riut, i dyshuari i ka kërkuar atij që të mos i afrohet më vajzës së tij, në të kundërtën do ta vrasë.
Si rezultet i denoncimit, 56-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka treguar disa mesazhe me përmbajtje kërcënuese të cilat dyshohet se ia ka kthyer 25-vjeçari.
Kjo ka bërë që Prokurori i Shtetit të urdhërojë që ndaj të dyve të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.