Ministria e Tregtisë jep detaje për ligjin që e kontrollon tregun: S’mund të bleni produkte sa të doni
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka dhënë më shumë detaje për përmbajtjen e Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
Sipas njoftimit, ligji do të përfshijë kufizimin e sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar, ndalimi i largimit nga shitja e produktit, caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë, caktimi i çmimit maksimal të lejuar, detyrimi i operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit, detyrimi i operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produktet themelore si para caktimit të masave mbrojtëse.
“Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i draftuar dhe propozuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me akterët përkatës, zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik që tregtojnë produkte themelore dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Opozita këtë ligj e ka cilësuar si anti-kushtetutes që cenon ekonominë e tregut. Por pushteti thotë se masat janë të përkohshme.
“Produktet themelore në kuadër të këtij ligji janë: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie”, vazhdon njoftimi.
“Në këtë ligj përfshihen masat e përkohshme mbrojtëse që do të ndërmerren në raste të veçanta të destabilizimit në treg; shkaqet e caktimit të këtyre masave; mbikëqyrja për zbatimin e këtij ligji si dhe sanksionet ndaj çdo shkelësi të këtyre masave që janë përfshi në këtë ligj”, thuhet në njoftim.