Kryesore

Mësimdhënësit do të testohen me shkrim për pagë më të lartë

Mos-hartimi i akteve nënligjore që do t’ua mundësonte mësimdhënësve të marrin licencën e avancuar, ka bërë që mësimdhënësit të mos përfitojnë shtesën prej 0.5 për qind që parashihet në Ligjin për Paga. Sipas një draft-udhëzimi administrativ që posedon KOHA, parashihet që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një testi me shkrim, për të përfituar këtë licencë.

Qe njëzet vjet është pjesë e sistemit arsimor, por mësimdhënësja Xhevahire Vllasaliu, ashtu si të gjithë kolegët e saj, asnjëherë nuk e pati mundësinë që t’i nënshtrohet vlerësimit për marrjen e licencës së avancuar.

Për një licencë të këtillë, baza ligjore është bërë më 2017-n.

Megjithatë, vlerësimi për licencën që dallon mësimdhënësit me performancë të lartë nga të tjerët, nuk u organizua asnjëherë.

Meqë tani Ligji i ri i Pagave garanton rrogë më të lartë për punonjësit me performancë më të mirë, mësimdhënësja Vllasaliu pret që vlerësimi të nisë sa më shpejt.

“Ne e mirëpresim që procesi të fillojë nesër. Të gjithë ne jemi duke e pritur që të nis sa më shpejt. Mirëpo, secili nga ne, siç thonë një fjalë popullore të ndahet shapi prej sheqerit. Domethënë, me licencim me performancë që jepet edhe nga shkolla, edhe nga Ministria e Arsimit, të arrihet që të bëhet dallimi në mes mësimdhënësve, edhe me përvojë, edhe me sukses, edhe me të gjitha”, ka thënë Vllasaliu.

Legjislacioni aktual nuk e parasheh që mësimdhënësit të testohen për t’u pajisur me licencë të avancuar, por kjo pritet të ndryshojë, me iniciativë të Ministrisë së Arsimit.

Sipas një draftudhëzimi administrativ që posedon KOHA, mësimdhënësit do t’i nënshtrohen një provimi kualifikues, përmes të cilit do të vlerësohen njohuritë e tyre lidhur me lëndën si dhe aspektin pedagogjik e didaktik të punës.

Pasi ta kalojnë këtë fazë, ata do të vlerësohen edhe nga inspektorati.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu. /KOHA.net