Mërgimtarja vjen në Kosovë dhe vendos të divorcohet, vjehrra e kërcënon të mos ndahet nga djali i saj
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes. E shumë të shpeshta janë edhe konfliktet mes vjehrrave dhe nuseve, raporton Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë është denoncuar së fundmi nga një mërgimtare, e cila ka raportuar se është kanosur nga vjehrra e saj, pasi kishte marrë vendim që të ndahet nga bashkëshorti.
Viktima, e cila është nga fshati Ratkoc i Rahovecit, ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka rrëfyer se për shkak të dhunës psikike nga burri i saj, ka vendosur që të divorcohet, por është përballur me kërcënime nga nëna e tij.
Bazuar në dëshminë e saj, derisa gruaja ka qenë te familja e saj, vjehrra e ka telefonuar dhe përmes kërcënimeve ka tentuar që ta bind të mos ndahet nga djali i saj.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarës.