Mërgimtarja raporton vjedhjen e BMW së 80 mijë eurove me targa zvicerane te shtëpia e saj
Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike, e madje edhe nga oborret e shtëpive. Raste të tilla shpeshtohen edhe gjatë sezonit të verës, kur mërgimtarët vijnë në Kosovë me vetura të shtrenjta.
Një rast i tillë i vjedhjes dyshohet të ketë ndodhur sot në fshatin Sotfaj në Ferizaj, ku një mërgimtare ka raportuar se dikush ia ka vjedhur veturën BMW, që kap vlerën e rreth 80 mijë eurove.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e viktimës, dikush ia ka vjedhur veturën me targa zvicerane, që e kishte parkuar te shtëpia e saj, të cilën nuk e gjeti mëngjesin e sotëm.
Mërgimtarja ka vendosur të kërkojë ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin, me shpresën që do ta gjejnë automjetin e saj.
Si rezultat i denoncimit, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit është iniciuar rasti “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarve.