Lajme

Mërgimtari që mori djalin pa lejen e gruas dhe shkoi në Zvicër arrestohet posa hyn në Kosovë

Marrja ose rrëmbimi i kundërligjshëm i fëmijës nga prindi, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim. Për një rast të tillë, Gazeta Sinjali ka raportuar të martën, kur një grua në Shtime e denoncoi bashkëshortin, i cili e kishte marrë fëmijën pa lejen e saj dhe ka shkuar në Zvicër. Si rezultat i raportimit, Policia ka ndërmarrë veprime hetimore, me ç’rast posa i dyshuari ka hyrë në Kosovë është arrestuar.

Disa ditë pasi u denoncua, i dyshuari vendosi të vijë në Kosovë dhe posa hyri në kufi u ndalua për verifikim. I dyshuari u kap në pikën kufitare në Merdar dhe më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Gruaja e të dyshuarit e kishte raportuar burri e saj pasi i njëjti kishte shkuar në Zvicër bashkë me djalin e tyre, pas zënkave të vazhdueshme që ata kanë pasur me njëri-tjetrin.

Gjithçka kishte ndodhur të hënën pasdite, kur i dyshuari mori rrugën për në Zvicër, pa qenë në dijeni bashkëshortja se me të ishte edhe i biri 2-vjeçar.

Posa gruaja e ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur, ia ka mësyrë Policisë, ku ka rrëfyer për telashet që ka pasur me të dyshuarin dhe problemet që ia ka shkaktuar, duke e lënë të vetme në Kosovë.

Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit kishte urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit, nën dyshimet për veprat “Dhunë në familje” dhe “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës”.