“Memli paska gjetur njeriun që na nxjerrë nga situata; Bedriu mund të bëj mrekulli: të na bëj të pasur; ta ndal mes për mes mërgimin”
Publicistja Kimete Berisha në një shkrim të saj autorial, ka komentuar vendimin e fundit të Partisë Demokratike të Kosovës, për të kandiduar me Bedri Hamzën si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Ajo e ka vazhduar komentimin e saj me deklaratat e aktorit Enver Petrovci, ndërsa shkruan se kreu i PDK-së paska gjetur njeriun për ta nxjerrë Kosovën nga situatat.
“Aty ka qenë gjithmonë, Bedri e ka emrin, por nuk e kemi ditur që Bedriu mund të bëj mrekulli: të na bëj të pasur; ta ndal mes për mes mërgimin e të na bëj të lumtur, kaq kollaj paska qenë puna”, shkruan Berisha.
Por ajo nuk lë pa përmendur edhe qeverisjen e Hamzës në komunën e Mitrovicës.
“A mund ta shpëtoj Kosovën, kryetari që s’i shpëtoi qytetarët Mitrovicës, të cilët jetojnë në lloç. – Pse ekonomisti më i mirë e udhëheq popullin më të varfër të Mitrovicës dhe ata mbesin se mbesin më të varfërit, e ky mbetet se mbetet ekonomisti më i mirë?”, shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Hëna e Plotë në PDK!
1. U bënë dy shqiptarë që kanë thënë se e kanë parë ‘Zotin’ në Gërmi…
Përfytyrime spirituale ka shumë, por a thua a ka një shqiptar me ‘kompleksin e Zotit’, se nuk është e rastit që këtu përdoret shprehja ‘Unë për ty jam Zot’.
– Mendoj që ka, por hiqu tyre, nuk po ua përmend emrin, më mirë për mua.
– Dhe, anipse patikat i kam harruar në Mitrovicë, shkova në Gërmi me shtiklla…. Isha pak e shqetësuar se çka nëse edhe mua ‘si atyre’, më del ‘Zoti’ përpara, çka do t’i kisha thënë:
– A do të isha ankuar!
– Do të kisha qarë për fatin tim?
– Do të isha frikësuar!
– Do t’i kisha kërlkuar një takim me të vdekurit e mi?
– Qysh ndjehet njeriu para Atij që i di të gjitha!
Asnjë ide nuk e kisha se çfarë dua.
Ai e di më mirë se unë se çfarë dua, nëse do të donte do t’mi plotësonte dëshirat.
– Dëshira ime e ka mbuluar dëshirën, dhe kështu, më s’di as çka dua!
– A dua!
– Ndoshta, paratë do të kryenin punë.
Se, unë nuk e kam ditur që vjen dita dhe e kuptoj se kur dëshirat nuk plotësohen nga fati, blihen me pare.
Edhe pse je i lirë, gjithmonë mbetet e paarritur edhe një Liri që blihet me pare, ajo liria individuale…
– Nuk e di, ndoshta ai këngëtari i ‘Aurorës’ mendon se kur Enver Petrovci ka thënë se e ka parë Zotin në Gërmi, e ka pasur fjalën për ‘Zotin’ e tij.
Se ‘Zoti’ ‘i takon’ atij që e sheh i pari.
– Ndjehesha si gur, ku përplaset era e ftohtë, dhe i shikoja lisat që duken të bukur ama e hanë njëri-tjetrin nga rrënja, e nuk shihen….
– Pas tri orësh pritje, e pashë një arushë.
2. Nuk gjeta rrugëdalje qiellore, por derisa u ktheva në Prishtinë, Memli Krasniqi e kish gjetur njërin që na nxjerr nga situata.
Aty ka qenë gjithmonë, Bedri e ka emrin, por nuk e kemi ditur që Bedriu mund të bëj mrekulli: të na bëj të pasur; ta ndal mes për mes mërgimin e të na bëj të lumtur, kaq kollaj paska qenë puna.
– Pasi që ka aftësi të na bëj të lumtur, pse ka pritur leje nga Memli!
Ka mundur të na shpëtoj falas, për riza të Zotit.
– Mua s’më rrihet pa pyetur:
A mund ta shpëtoj Kosovën, kryetari që s’i shpëtoi qytetarët Mitrovicës, të cilët jetojnë në lloç.
– Pse ekonomisti më i mirë e udhëheq popullin më të varfër të Mitrovicës dhe ata mbesin se mbesin më të varfërit, e ky mbetet se mbetet ekonomisti më i mirë?
– Bedriu ndoshta është krijuar veç për punë të mëdha: nuk është i krijuar ta shpëtojë një qytet, por ta shpëtojë një shtet.
– Kuptimi i emrit Bedri është interesant: do të thotë: Hëna e Plotë.
– Jam e sigurt se Memli do të ishte kryeministër më i mirë.
Sepse, nëse Bedriu do të ishte ‘kaq i mahnitshëm’, deri tash do ta kishim marrë vesh!
Apo, ndoshta veprat e tij të mahnitshme dikush nuk i lë të zbulohen, i mban sekret!
P.S. Ju ftoj të argëtoheni me shkrimet e mia, se ndoshta hiç nuk është kështu siç po them unë.
Por, s’jam e interesuar të debatoj për bindjet e mia.
Thuaj çfarë të duash, as nuk më lë përshtypje, as nuk më inteteson.
– Ju tregova që ndjehem si gur.
Kur më ndodh të qaj nganjëherë, si sot që qava nën syzet e diellit, duke ngas veturën në Bregun e Diellit, prap ndjehem si gur i rrahur nga shiu.
Ama, e lumtur!